

Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen të dielën në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
Në total, rreth 334.500 qytetarë do të kenë mundësi të zgjedhin kryebashkiakët e rinj që do të drejtojnë bashkitë për një mandat prej vetëm një viti e gjysmë, deri në zgjedhjet lokale të pranverës 2027.
E shtuna shënon heshtjen zgjedhore, pas një fushate të pazakontë dhe të qetë, ku munguan mitingjet dhe retorika e fortë politike.
Kjo është një nga fushatat më të ulëta në ton dhe në prani publike, pasi asnjëri nga liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha, nuk morën pjesë në ndonjë aktivitet elektoral.
Në secilën bashki, kandidatët kanë zhvilluar një fushatë të përmbajtur dhe të përqendruar kryesisht në takime lokale:
Vlorë: Afro 172 mijë votues do të zgjedhin mes Brunilda Mersinit të PS-së, Dionis Sotës, kandidatit të mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nikës, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur më herët nën siglën e Partisë Demokratike.
Berat: Ervin Ceca (PS) përballet me Pavlo Shkarpën, kandidatin e mbështetur nga opozita.
Mat: Një garë treshe mes Altin Bojnit (PS), Suzana Pashës, ish-kryetare e Forumit të Gruas Socialiste që kandidon e pavarur, dhe Eduart Brahilikës, kandidatit të mbështetur nga opozita.
Cërrik: Florenc Doka (PS) garon kundër Amarildo Hoxhës, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD e Berishës, dhe Eligert Himës, përfaqësues i “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”.
Tepelenë: Përballë janë Gramoz Sako (PS) dhe Gabriel Guma, kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike dhe opozita zyrtare nuk kanë kandidatë nën siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa kandidatura të pavarura në çdo bashki.
Kështu, mbyllet një fushatë e pazakontë, e zhvilluar pa zhurmë dhe pa prani të madhe politike, ku fjalën e fundit do ta thonë votuesit të dielën në kutitë e votimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






