

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dekretit të Presidentit dhe, si rrjedhojë, edhe të vendimit të qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në "Flasim", podcast i tij, Rama u shpreh se ky vendim vërteton se ai “nuk i ka kapur të gjitha pushtetet” dhe se është një sinjal pozitiv për ndarjen e pushteteve në vend. “Kjo është fare e qartë dhe është një gjë e mirë që duhet ta pranojnë ata që më kundërshtojnë mbi të pavërteta”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se, pas këtij vendimi, Tirana nuk mund të mbetet pa drejtues deri në vitin 2027 dhe se situata aktuale krijon “një disproporcion të dyfishtë” — si ndaj të drejtave kushtetuese të Veliajt, ashtu edhe ndaj qytetarëve të kryeqytetit.
“Sipas këtij vendimi, kryebashkiaku nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje. Prandaj mbajtja e tij në paraburgim është në dëm të lirive të tij kushtetuese dhe të së drejtës së qytetarëve të Tiranës për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese të mbajë të njëjtin standard edhe kur të shqyrtojë çështjen e paraburgimit të Veliajt. “Kush sheh një qëndrim parimor të Kushtetueses, nuk ka si të mos presë që Veliaj të kthehet në detyrë për të vijuar procesin në gjendje të lirë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se shkarkimi i Veliajt nuk ka qenë vendim politik, por domosdoshmëri për të shmangur një “ngërç absurd” në drejtimin e Tiranës. “Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë. Kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e drejtimit po sjell “kosto të padrejta për qytetarët”.
Sipas Ramës, vendimi i Kushtetueses është një moment i rëndësishëm që kërkon reflektim institucional për të garantuar funksionimin normal të institucioneve lokale dhe respektimin e parimeve kushtetuese. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






