

MAQEDONIA E VERIUT – Drita dhe Shkëndija shkëlqyen në ndeshjet e tyre të radhës në Conference Leage, teksa mundën Shelbourne dhe Jagelonian. Skuadra kampione e Kosovës arriti t’i imponohej skuadrës irlandeze në shtëpinë e kësaj të fundit duke e mundur 0-1.
Gjërat në këtë ndeshje u lehtësuan për Dritën pasi në minutën e 17-të skuadra e Shelbourne mbeti në inferioritet numerik pas ndëshkimit me karton të kuq të James Norris pas një faulli ndaj Almir Ajzeraj. Megjithatë 3 minuta më vonë, skuadra irlandeze iu afrua golit me Harry Wood që u ndal nga shtylla. Në minutën e 45-të ishte Drita që nuk pati fatin me vete pasi Rron Broja goditi traversën dhe pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0.
Në pjesën e dytë, Drita arriti të gjejë golin e avantazhit në minutën e 58-të pikërisht me Almir Ajzerajn. Historitë e kësaj ndeshjeje nuk ndryshuan më deri në fundin e takimit me Dritën që fitoi duke marrë 3 pikë që e ngjisin në vendin e 15 me 5 pikë.
Një paraqitje të mire bëri edhe skuadra tjetër shqiptare, Shkëndija e Tetovës që arriti t’i imponohej Jagellonias me rezultatin 1-0 deri në minutën e 100-të kur barazuan polakët duke i hequr nga dora nje fitore të rëndësishme dhe duke shvlerësuar golin e Latifit. Barazimi i parë për Shkëndijen në këtë kompeticion që e ngjit atë në kuotën e 4 pikëve.
Ndërkaq Dinamo e Zagrebit zhgënjeu në ndeshjen e radhës së Europa League. Skuadra kroate ku aktivizohet sulmuesi i kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha u mund në shtëpi nga Celta Vigo me rezultatin 0-3. Në këtë ndeshje Hoxha ishte titullar, por nuk mundi dot të ndihmojë skuadrën e tij të evitonte humbjen.
Po në Europa League, Roma mori një fitore në transfertë ndaj Glasgow Rangers së Nedim Bajramit me rezultatin 2-0 me 2 gola të Matias Soule. Aston Villa mposhti Maccabi Tel Aviv 2-0, fitore të rëndësishmë mori edhe Real Betis ndaj Olympique të Lyon me rezultatin 2-0.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






