

SHBA – Një juri në Virxhinia ka vendosur që ish-mësuesja Abigail Zuerner, e cila u plagos rëndë pasi u qëllua nga një nxënës 6-vjeçar në janar 2023, të përfitojë 10 milionë dollarë dëmshpërblim. Zuerner u qëllua gjatë orës së mësimit në një shkollë në Newport News, duke pësuar dëmtime të rënda në krah dhe gjoks, gjë që kërkoi një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale.
Sipas dëshmisë së saj, momenti i sulmit ka mbetur një nga kujtimet më tronditëse të jetës. Ajo paditi ish-ndihmësdrejtoreshën e shkollës, Ebony Parker, duke pretenduar se nuk ndërhyri pavarësisht paralajmërimeve se fëmija mund të kishte sjellë një armë në shkollë atë ditë. Gjykata dëgjoi se Parker ishte njoftuar rreth 45 minuta para incidentit, por nuk veproi.
Juria prej shtatë anëtarësh vendosi se mosveprimi i administratës shkollore përbënte neglizhencë të rëndë. Ndërkohë, avokati i Parker argumentoi se ajo nuk mund të parashikonte ngjarjen dhe se mësuesja kishte tepruar në përshkrimin e lëndimeve.
Gjyqi civil pritet të pasohet nga një proces penal, ku Parker përballet me tetë akuza për neglizhencë ndaj fëmijëve, me rrezik deri në pesë vite burg. Nëna e fëmijës është dënuar më herët me gati katër vite burg për neglizhencë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa nxënësi nuk është akuzuar dhe ndodhet nën kujdesin e të afërmve, i regjistruar në një shkollë tjetër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






