Transmetuar më 06-11-2025, 22:32

TIRANË – Pas debatit të ashpër mbi projektligjin për barazinë gjinore, ku palët u pozicionuan në kahe të kundërta, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u gjetën sot në të njëjtën linjë për një nga çështjet kyçe të jetës politike në vend: Reformën Zgjedhore. Me 105 vota pro dhe vetëm një kundër, parlamenti miratoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një moment të rrallë bashkëpunimi mes shumicës dhe opozitës.

Vendimi u përshëndet si hap i domosdoshëm në procesin e rishikimit të kuadrit elektoral, një kërkesë e hershme e ndërkombëtarëve dhe e vetë aktorëve politikë për të garantuar standarde më të larta në zgjedhjet e ardhshme. Bashkimi i votave të PS dhe PD në këtë çështje vjen pas një periudhe tensionesh të forta politike dhe ndarjesh të thella parlamentare.

Megjithatë, kontrasti politik u shfaq qartë më herët gjatë seancës, kur parlamenti votoi projektligjin për barazinë gjinore, proces në të cilin mazhoranca dhe opozita u përplasën fort. Po ashtu, u rrëzua kërkesa e PD për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, duke thelluar diferencat mes palëve në agjendën institucionale.

Miratimi i komisionit për reformën zgjedhore shihet si test i vullnetit politik për të përmbushur standarde më të larta demokratike, me pritshmëri të mëdha për ndryshime konkrete dhe të zbatueshme në proceset zgjedhore të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit