

Me 78 vota socialiste pro dhe të gjitha votat e opozitës kundër, Parlamenti miratoi mbrëmjen e sotme ligjin e shumëdiskutuar për barazinë gjinore, raporton noa.al.
Miratimi në parim erdhi pasi PS e ka kthyer tashmë në traditë shuarjen e debatit parlamentar dhe Taulant Balla kërkoi sërish sonte ndërprerjen e debatit për ligjin që po kalonte për votim. Me kartonët e socialistëve kjo sërish ndodhi.
Projektligji “Për barazinë gjinore” sipas qeverisë synon të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave.
Megjithatë, ai ka hasur kundërshti të gjera, jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe nga shoqëria civile dhe komunitetet fetare, të cilat paralajmërojnë se disa nene të tij bien ndesh me traditat dhe vlerat familjare shqiptare.
Shkodër – Qëndrim i përbashkët fetar kundër projektligjit për barazinë gjinore
Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, dhe arqipeshkvi Giovanni Peragine janë shprehur në një linjë të unifikuar kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Gjatë një takimi kortezie për 35-vjetorin e lirisë së besimit në Shqipëri, të mbajtur në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, Myftiu Sytari deklaroi se qëndrimi i përbashkët i komuniteteve fetare “prevalon mbi çdo qëndrim tjetër” dhe përfaqëson “unitetin e vërtetë të besimeve në mbrojtje të tabanit shqiptar”.
“Shpresoj që klasa politike ka reflektuar siç duhet. Do të respektojmë tabanin dhe nuk do ta presim në besë për interesa cinike që nuk janë të shqiptarëve”, tha ai.
Në të njëjtën linjë, arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine, theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave familjare.
“Njeriu është krijuar sipas vullnetit të Zotit. E kuptoj që flitet për integrim në Evropë, por duhet të kemi kujdes të ruajmë traditat tona. Integrimi nuk do të thotë humbje të identitetit dhe të vlerave të familjes”, u shpreh ai.
Protestë para Kuvendit kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”

Më herët sot, aktivistë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan sot para Parlamentit kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të diskutohet në seancën plenare të ditës.
Thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”, protestuesit kërkuan nga deputetët që të mos e miratojnë nismën ligjore të qeverisë, duke e cilësuar atë si kërcënim për familjen tradicionale dhe vlerat morale të shoqërisë shqiptare.
Me pankarta dhe thirrje “pro familjes” dhe “për mbrojtjen e gjinive burrë e grua”, pastori Akil Pano e quajti projektligjin “një trup të huaj për shoqërinë shqiptare”.
“Ky është një trup i huaj, një kancer që do të shkatërrojë trupin tonë. Nëse ky projektligj kalon, jemi duke firmosur shkatërrimin e familjes dhe të fëmijës. Flasim për rrëmbimin e jetës dhe copëzimin e strukturës bazë që është martesa mes një burri dhe një gruaje,” – deklaroi ai.
Në protestë morën pjesë edhe figura të politikës opozitare, përfshirë kryetarin e PD-së, Sali Berisha, si dhe deputetët Klevis Balliu, Tedi Blushi, Belind Këlliçi dhe Tritan Shehu.
Projektligji “Për barazinë gjinore” është një nismë e qeverisë që synon të përditësojë ligjin e vitit 2008 dhe të harmonizojë kuadrin ligjor shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të burrave e grave.
Megjithatë, që prej prezantimit, ai ka ngjallur debate të forta publike. Kritikët pretendojnë se ligji mund të dëmtojë vlerat tradicionale të familjes shqiptare, ndërsa mazhoranca këmbëngul se nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen, por synon mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e demokracisë përmes barazisë gjinore.
Opozita ka kërkuar që projektligji të mos kalojë vetëm me votat e Kuvendit, por t’i nënshtrohet një referendumi popullor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






