

Kohët e fundit ka një shtim të bizneseve të mëdha të Kosovës në Shqipëri. Në një pjesë të tyre kjo ësbtë shoqëruar me largimin nga vendi ynë të dida brand-eve ndërkombëtare, ose marrjen e kontrollit të përfaqësive të tyre nga bizneset e Kosovës.
Shtrirja e gjerë e bizneseve të mëdha të Kosovës ka aspekte pozitive dhe patriotike dhe tregon një zhvillim cilësor të afarizmit shqiptar.
Spar, një rrjet supermarketesh tashmë me 100 njësi në vend, u raportua se u shit rreth 36 milionë euro te kompania Viva Fresh e cila ka një zinxhir supermarketesh në Kosovë.
Viva prej disa vitesh kishte njoftuar hyrjen në Shqipëri, por këtë vit u bë gati hyrja e saj përmes largimit të Spar.
Sipas kontratës, Spar do të mbajë emrin deri në vitin 2027 për t’i lënë vendin rrjetit Viva i cili tani kontrollon zinxhirin e këtyre supermarketeve në Shqipëri.
Historia e supermarketeve Spar i ka fillesat prej mëse dy dekadash kur Balfin solli në Shqipëri rrjetin Euromax. Shpejt ai u largua për ti lënë vendin një kompanie serbe, Delta, më tej Delhaize dhe më pas u zëvendësua me rrjetin Carrefour. Ky i fundit iku nga Shqipëria dhe i la vendin Spar-it i cili mund të konsiderohet më jetëgjati mes tyre.
Ikën dhe Tring
Këto ditë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se vëllezërit Dulaku, pronarë të Vizion Plus, kanë vendosur ta shesin tërësisht kompaninë Tring sh.a.
Blerësi është nga Kosova, Valon Shala që rezulton administrator i një kompanie të ngjashme, Artmotion.
Tring në shumë vite është renditur e dyta pas DigitAlb në shitje, por vitet e fundit pati rritje pasi mori thuajse të gjitha eventet kryesore të futbollit që më parë ishin në Supersport, pjesë e DigitAlb.
Shitet FGA
Një ndër rrjetet më të njohura të shitjes me pakicë të veshjeve, Fashion Group Albania (FGA), u shit edhe ai dhe sërish blerësit ishin nga Kosova.
Albi Holding bleu të gjitha aksionet e kompanisë së tregtimit të veshjeve, nga grupi shqiptar i biznesit Balfin, për rreth 7.6 milionë euro.
Albi kontrollohet prej biznesmenëve nga Kosova Tahir Humolli, Sutki Humolli, Nexhat Humolli, Nehat Humolli dhe Betim Humolli.
FGA u bë e njohur për aq vite sa ishte sepse arriti të sjellë në Shqipëri dyqane të markave të njohura me çmime të përballueshme të veshjeve për fëmijë dhe të rritur. Hyrja e saj në treg, padyshim që shkatërroi biznesin deri vonë të suksesshëm të butikëve të shpërndarë si kërpudha në gjithë vendin.
Njëkohësisht ndikoi së tepërmi për ti dhënë popullaritet dhe shitje, qendrave tregtare që kontrollohen nga Balfin.
Gjithsesi ajo nuk arriti të sjellë markat e mëdha të veshjeve, të cilat edhe sot nuk gjenden në tregun shqiptar, përveçse disa dyqaneve pirate.
Shitet KFC
Një tjetër kompani nga Kosova bëri blerjen e radhës në Shqipëri, duke marrë kontrollin e KFC për vendin tonë.
KAN shpk njoftoi publikisht blerjen e Global Fast Food Albania, kompanisë që zotëron të drejtën e markës globale të fast food-eve, KFC për Shqipërinë.
Edhe Kan e bëri blerjen këtë vjeshtë ashtu si thuajse gjjthë blerjet e tjera të bujshme. Ajo kontrollon të drejtat e KFC për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Kan, me pronar të vetëm biznesmenin Fatmir Zymberi është prezent në Shqipëri edhe përmes kompanisë Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e përdorimit të markës daneze Jysk për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit.
Futen dhe kompanitë e karburanteve
Një tjetër biznes nga Kosova është futur së fundmi në Shqipëri me karburantet HIB Petrol. Ajo është një nga subjektet më të mëdha të tregtimit të karburanteve në Kosovë dhe pjesë e grupit të biznesit HIB Holding, zotëruar në masën 100% nga sipërmarrësi nga Kosova, Ibrahim Bucaliu.
Këto dhe afro 580 kompani të tjera nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri kanë bërë që stoku i investimeve nga Kosova të arrijë në afro 500 milionë euro, duke u rritur me 440 për qind pesëvjeçarin e fundit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






