

Një vit pasi u fol se Tring po bashkohej me DigitAlb, tani është zyrtarizuar se kjo kompani është shitur dhe sërish në lojë është Kosova.
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se shoqëria Tring sh.a. është shitur 100 për qind te shoqëria Vertex Holding SHPK. Kjo e fundit është një kompani e hapur në Shqipëri vetëm pak javë më parë.
AK pohon se u njoftua për shitjen më 6 tetor dhe se kontrata është nënshkruar më 2 tetor 2025.
Palët në marrëveshje janë:
Blerësi: Vertex Holding SHPK është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Ortak i vetëm i shoqërisë blerëse është Valon Shala.
Valon Shala është drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i shërbimit të internetit dhe IPTV në Kosovë.
Shitësi: Concord Investmen SHPK, kontrollohet nga ortakët Adrian Dulaku, Artan Dulaku dhe Genci Dulaku.
Shoqëria Target: Tring TV SHA është një shoqëri aksionare që kontrollohet drejtpërdrejt nga shoqëria Concord Investmen SHPK e Dulaksëve. Tring raportoi një xhiro në vlerën e 1.52 miliardë lekëve dhe një fitim neto në vlerën 13.1 milionë lekë.
Tring në shumë vite është renditur e dyta pas DigitAlb në shitje, por vitet e fundit pati rritje pasi mori thuajse të gjitha eventet kryesore të futbollit që më parë ishin në Supersport, pjesë e DigitAlb.
Kohët e fundit ka një ekspansion të pashpjegueshëm të Kosovës duke bërë që të largohen nga Shqipëria biznese të rëndësishme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






