Transmetuar më 06-11-2025, 18:52

TIRANË – E ardhmja ekonomike e Shqipërisë po përballet me një kërcënim serioz nga emigrimi dhe plakja e popullsisë, paralajmëroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë Workshop-it të 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Sipas tij, largimi i fuqisë punëtore dhe tkurrja demografike po ndikojnë drejtpërdrejt në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike të vendit.

Sejko theksoi se kombinimi i sfidave të brendshme demografike dhe faktorëve të jashtëm ekonomikë po krijon një mjedis gjithnjë e më kompleks për ekonominë shqiptare. Ai vuri në dukje pasiguritë globale të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve, të cilat po ndikojnë seriozisht në pritshmëritë ekonomike.

Sipas guvernatorit, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike dhe private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje strukturore, ndërsa emigracioni i vazhdueshëm po kufizon ofertën e burimeve njerëzore në tregun e punës.

Në këto kushte, Sejko apeloi për politika më të fokusuara te individi si kapitali kryesor i shoqërisë, duke kërkuar reforma thelbësore që mbështesin inovacionin, investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Ai theksoi se stabiliteti makroekonomik dhe rritja e qëndrueshme kërkojnë vendimmarrje të kujdesshme dhe politika të bazuara në analizë dhe prova shkencore.

Megjithë sfidat, Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, e nxitur kryesisht nga turizmi dhe investimet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit