

Volos, Greqi: Dënohet 61-vjeçarja për përndjekje obsesive me motive erotike ndaj një 68-vjeçareje
Një grua 61-vjeçare në Volos u dënua pasi dërgonte vazhdimisht mesazhe me përmbajtje erotike një gruaje 68-vjeçare, për të cilën kishte zhvilluar një fiksim dhe dëshironte të kishte marrëdhënie intime me të.
Siç citon noa.al mediat greke, ajo madje e kishte ndjekur nga afër, gjë që e detyroi viktimën të bëjë kallëzim në polici.
Përndjekja “erotike” ndaj 68-vjeçares zgjati nga 14 maji deri më 30 gusht 2022. Gjatë gjithë kësaj kohe, viktima merrte mesazhe të shumta, pothuajse të gjitha me përmbajtje erotike.
Situata u përkeqësua kur ajo e pa 61-vjeçaren duke e ndjekur, çka e frikësoi aq shumë sa vendosi të denoncojë rastin në Policinë e Volosit.
Çështja u shqyrtua të mërkurën e sotme, më 6 nëntor 2025, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Volosit. Në sallë, e pandehura deklaroi se qëllimi i saj nuk ishte romantik, por “miqësor”, duke pohuar se “donte vetëm të bëhej shoqe” me të, edhe pse e pranoi se e kishte “bombarduar” me mesazhe.
Nga ana tjetër, 68-vjeçarja dëshmoi se ndihej e frikësuar dhe e shqetësuar nga veprimet dhe fjalët e saj, të cilat i përjetonte si kërcënim.
Gjykata e shpalli 61-vjeçaren fajtore për veprën penale të “kërcënimit të përsëritur”, duke i vendosur një dënim me një vit burgim, i cili u shndërrua në gjobë prej 10 eurosh për çdo ditë.
Gjykata lejoi pezullimin e dënimit me kusht që ajo të mos e afrohet më viktimës dhe të ndërpresë çdo formë komunikimi me të. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






