

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se nga janari 2026 nis një proces rritje pagash për një pjesë të administratës publike. Rritja do të njihet si indeksim. Ajo shihet si mjaft e nevojshme aktualisht pasi, nga 2023 kur Rama bëri rritje pagash, çmimet morën një hov të vrullshëm rritjeje kudo duke zhvlerësuar të ardhurat e qytetarëve.
Megjithatë rritja është e diferencuar dhe lë jashtë disa kategori, kryesisht shtresën e mesme ku përfshihen sidomos pedagogët dhe stafet universitare, të cilët as që përfshihen duke u lënë vetëm në përballjen me uraganin e shtrenjtimit të jetesës.
Në projekt-buxhetin për 2026, pritet fillimi i praktikës së indeksimit vjetor për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.
Rama tha sot në një dalje publike se kjo është një politikë e re pagash. Ai ishte më konkret kur tha se për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.
Është e paqartë nëse këtë rritje 5 mijë lekëshe do ta marrin vetëm specialistët apo dhe pjesa tjetër e administratës shtetërore, pasi Rama përmendi vetëm ata.
Sakaq në arsim, mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.
Një tjetër njoftim që bëri Rama ishte se për herë të parë siç tha ai, do të njihet vjetërsia në punë. Është e paqartë përse kjo nuk ndodh deri sot përderisa është pjesë integrale e Kodit të Punës.
"Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj.
Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj.
Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj.
Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.
E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë:
Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.
Për nënkomisarët, paga do të rritet nga 95.500 në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu, për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja.
Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125.600 lekë të reja.
Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.
Kryeministri kujtoi edhe faktin se paga minimale e detyrueshme për pagesat mujore të sigurimeve shoqërore, rritet nga 40 mijë në 50 mijë lekë në 2026. Por ai evidentoi dhe një fakt tjetër: Janë 10,600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë të cilët do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj". /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






