Transmetuar më 06-11-2025, 13:46

Dy vëllezër vriten në Malishevë, dhëndri i tyre dyshohet si autor

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gullubovc të Malishevës, ku dy vëllezër kanë mbetur të vrarë pas një konflikti të armatosur.

Sipas njoftimit të policisë rajonale të Gjakovës, vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:30 të paradites së sotme. Drejtori rajonal, Lumni Graishta, ka konfirmuar për mediat se viktimat janë banorë të fshatit Gullubovc, ndërsa personi i dyshuar për krimin është dhëndri i tyre, identifikuar si Astrit Isufi nga Sankovci i Drenasit.

“Rreth orës 11:30 ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në fshatin Gullubovc të Malishevës. Viktimat janë vëllezër nga ky fshat, ndërsa i dyshuari është dhëndër i tyre nga Drenasi. Ata janë dërguar në emergjencën e Kijevës, ku është konstatuar vdekja e tyre,” – deklaroi Graishta.

Sipas informacioneve të para, viktimat, të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç, janë qëlluar me armë zjarri para shtëpisë së tyre. Hetimet e para sugjerojnë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti me motive familjare që kishte nisur më herët mes palëve.

Policia dhe prokuroria ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e plota të vrasjes së dyfishtë.

Rrethanat e ngjarjes

Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari kishte shkuar sot në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij. Pasi ishte larguar disa metra nga banesa, ai është kthyer sërish dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, njëri prej tyre ka humbur jetën në vend, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Dyshohet se përplasjet mes palëve kanë pasur një histori të mëhershme. Burime të hetimit bëjnë të ditur se edhe vëllai i autorit të dyshuar kishte pasur konflikte të mëparshme me viktimat, çka mund të ketë ndikuar në përshkallëzimin e tensioneve që përfunduan me tragjedinë e sotme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit