

Një punonjës policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Durrës me akuzën e korrupsionit.
Sipas AMP, arrestimi i tij erdhi pasi polici i kërkoi një shumë prej 60 mijë lekësh të reja për t’i nxjerrë automjetin e tij nga pika e bllokimit si dhe për të mos i vendosur masë administrative.
AMP ka publikuar edhe pamjet nga operacioni, i kryer në bashkëpunim me SPAK, si dhe paratë që ishin futur brenda një zarfi.
Agjencia thotë se vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë G. H., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal.
Arrestimi në flagrancë u realizua pas veprimeve me metoda speciale të hetimit, ku u arrit të provohej se punonjësi i policisë duke shfrytëzuar funksionin organik në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit E.S., një shumë prej 60 000 lekë të reja (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale), duke i premtuar në këmbim që do ti nxirrte mjetin nga pika e bllokimit, si dhe mosvendosjen e masës administrative.
Vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






