

Kuçovë – Operacioni “Kompleks”: Sekuestrohen armë, fishekë dhe kanabis – në pranga dy persona, mes tyre një nën “arrest shtëpie”
Policia e Kuçovës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Kompleks”, duke goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Në pranga ranë:
Kuadri Kallmi, 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për përdorim dhe shpërndarje droge, si dhe mbante armë zjarri automatike.
Kostandino Ziu, 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë, që ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, por vijonte veprimtarinë e paligjshme nga banesa.
Gjatë kontrolleve në lokalin e 41-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi:
1 armë zjarri automatike,
një sasi kanabisi,
1 peshore elektronike,
dhe 30 fishekë luftarak.
Ndërsa në banesën e 27-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër lënde narkotike.
Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për autorët e vendosjes së një lënde plasëse në një biznes në Kuçovë një ditë më parë, si dhe për goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëve.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për vijimin e hetimeve. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






