

TIRANË – Qeveria shqiptare planifikon që paga minimale të arrijë në 60 mijë lekë në muaj deri në vitin 2028, si pjesë e skenarit afatmesëm për rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e standardit të jetesës për punëtorët me paga të ulëta. Ky plan synon të vazhdojë trendin e rritjeve të viteve të fundit, ku paga minimale është rritur nga 30 mijë lekë në vitin 2022 në 40 mijë lekë në mars 2023, dhe pritet të arrijë 50 mijë lekë në vitin 2026, sipas projektbuxhetit 2026.
Burime pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në skenarin afatmesëm parashikohet që në vitin 2027 të mos ketë rritje të pagës minimale, për të aplikuar rritjen tjetër në janar 2028 me 10 mijë lekë më shumë se niveli i 2026. Nëse ky plan zbatohet, paga minimale do të shënojë një rritje prej 50% brenda gjashtë viteve, duke e afruar Shqipërinë më shumë me mesataren e vendeve të rajonit, ku paga minimale në disa shtete si Mali i Zi dhe Serbia është tashmë mbi ekuivalentin e 55–60 mijë lekëve.
Rritja e pagës minimale mbetet një nga temat më të diskutuara në politikën ekonomike, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e punës, kontributet shoqërore dhe presionin mbi inflacionin. Përfaqësues të bizneseve shprehin shqetësime se rritjet e shpejta mund të ndikojnë sektorët me intensitet të lartë pune, si fasoneria dhe shërbimet ku puna me orar fleksibël është kryesore.
Vendimi final për rritjen në 60 mijë lekë pritet të konkretizohet në kuadër të paketës fiskale të viteve 2027–2028, pas konsultimeve me grupet e interesit dhe analizës së ndikimit në tregun e punës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






