Transmetuar më 06-11-2025, 07:48

MALDIVE- Maldivet kanë shpallur ndalimin e plotë të duhanit për çdo person të lindur pas 1 janarit 2007, duke u bërë vendi i parë në botë që ndalon pirjen e duhanit për një e brez të tërë. Vendimi, që hyri në fuqi më 1 nëntor, vlen jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët që vizitojnë ishujt.

Ministria e Shëndetësisë e përshkroi masën si “një moment historik në përpjekjet e vendit për të mbrojtur shëndetin publik” dhe një hap vendimtar drejt krijimit të një “brezi pa duhan”.

Ky ndalim vjen një vit pasi përdorimi, shitja dhe zotërimi i cigareve elektronike dhe “vape” u ndaluan me ligj.

Zyrtarët theksojnë se rregulli nuk pritet të ndikojë në turizëm. “Njerëzit nuk vijnë në Maldive për të pirë duhan, vijnë për detin, diellin dhe ajrin e pastër,” deklaroi një përfaqësues i bordit të kontrollit të duhanit.

Pushuesit e rinj do të duhet të respektojnë rregullin, ndërsa çdo blerës i produkteve të duhanit do të duhet të paraqesë dokument identifikimi për të vërtetuar moshën. Ky vendim i rendit Maldivet në pararojë të luftës kundër duhanit.

Në Zelandën e Re, një nismë e ngjashme u tërhoq në vitin 2023 pas ndërrimit të qeverisë, ndërsa në Britaninë e Madhe planet e propozuara nga Rishi Sunak janë ende në proces ligjor.

Franca, ndërkohë, ka ndaluar pirjen e duhanit në shumicën e hapësirave publike, sidomos aty ku ndodhen fëmijë. Maldivet shpresojnë që me këtë politikë të guximshme të krijojnë një brez të ri, që rritet në një mjedis më të shëndetshëm dhe plazhe plotësisht pa tym duhani. /MONITOR

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit