

Tiranë, 5 nëntor 2025 – Altin Dumani, kreu i SPAK, deklaroi se që prej vitit 2020 janë sekuestruar mbi 300 milionë euro pasuri të dyshuara si të lidhura me pastrimin e parave në Shqipëri. Sipas tij, ky nivel konfiskimesh e rendit vendin ndër më të avancuarit në rajon për luftën kundër krimit financiar.
Në intervistën për emisionin “Trialog” në RTSH1, Dumani theksoi se vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga viti 2020 deri në vitin 2024 ishte rreth 230 milionë euro, ndërsa tashmë është tejkaluar shifra prej 300 milionë eurosh falë intensifikimit të hetimeve të institucionit.
“Ta krahasosh me vendet e rajonit, nuk gjen këtë nivel konfiskimesh. Prokuroria e Posaçme ka rritur numrin e procedimeve penale, të pandehurve dhe vlerën e pasurive të konfiskuara. Sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro,” tha Dumani.
Ai nënvizoi se hetimet kanë zbuluar qartazi se një pjesë e konsiderueshme e parave të pista janë investuar në sektorin e turizmit, një fushë në rritje të shpejtë në Shqipëri, e cila ndër vite është konsideruar si një nga kanalet kryesore të qarkullimit të kapitalit informal.
“Po, kemi konstatuar se paratë e pista janë investuar në turizëm,” shtoi kreu i SPAK, duke lënë të kuptohet se hetimet në këtë drejtim do të vijojnë.
SPAK vijon të mbetet në qendër të vëmendjes për veprimtarinë e tij kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, teksa rritja e shifrave të sekuestrimeve konsiderohet një tregues i forcimit të mekanizmave hetimorë dhe goditjes së aktivitetit kriminal financiar në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






