

Tiranë, 5 nëntor 2025 – Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka komentuar zhvillimet e fundit pas marrjes të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimeve ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë. Në një intervistë për “Trialog” në RTSH, ai theksoi se për Prokurorinë e Posaçme “nuk ka të paprekshëm”, duke nënvizuar se pavarësia e hetimeve mbështetet vetëm në prova dhe jo në emra apo funksione publike.
“Që nga krijimi i SPAK, është treguar qartë se nuk ka të paprekshëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit politik, publik apo fuqisë financiare,” deklaroi Dumani. Ai shtoi se është detyra e SPAK të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti kur ka prova, ndërsa për të vlerësuar plotësisht suksesin duhet pritur vulosja e vendimeve në gjykata.
Lidhur me hetimin ndaj Ballukut, kreu i SPAK tha se njoftimi është bërë në momentin e ngritjes së akuzës, duke theksuar balancën midis transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor. “Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza,” tha Dumani, duke sqaruar se komunikimet e institucionit bëhen vetëm në fazat zyrtare të procedimit.
Ai mohoi gjithashtu zërat për një kërcënim ndaj prokurorit të çështjes, Alqion Premçi, duke konfirmuar mbështetjen e plotë ndaj tij dhe të gjithë prokurorëve të SPAK. “Asgjë nuk është e vërtetë për kërcënime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time dhe nuk më ka raportuar asnjë shqetësim,” theksoi Dumani.
Duke folur për prioritetet e SPAK, ai u shpreh se hetimet nuk ndahen sipas përkatësisë politike, por bazohen vetëm te provat. Përveç çështjeve të korrupsionit në nivele të larta, Dumani theksoi rritjen e hetimeve ndaj grupeve kriminale dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






