Transmetuar më 05-11-2025, 22:23

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë për RTSH, ka folur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe menaxhimin e dosjeve të ndjeshme nga institucioni që ai drejton.

Dumani tha se SPAK po vepron me kujdes maksimal për të ruajtur integritetin e hetimit dhe respektimin e të drejtave të subjektit nën hetim.

Ai sqaroi se njoftimi publik u bë vetëm në momentin kur akuza iu komunikua zyrtarisht Zëvendëskryeministres.

“Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza,” — deklaroi Dumani, duke theksuar se SPAK kërkon të gjejë ekuilibrin mes transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor.

Kreu i SPAK tha se informacionet për hetime të tilla ndahen publikisht vetëm në fazat formale të procedurës — në ngritjen e akuzës ose kur çështja dërgohet në gjykatë — dhe gjithmonë përmes kanaleve zyrtare të institucionit.

Sa i përket publikimit të përmbajtjeve hetimore në media, Dumani pranoi se rrjedhjet ndodhin shpesh pas komunikimeve ligjore me personat nën hetim ose me mbrojtësit e tyre:

“Nga verifikimet tona, kur media publikon përmbajtje të dosjes, rezulton se informacioni del në momentin kur ne komunikojmë me aktet me personat në hetim dhe mbrojtësit e tyre. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë rrjedhje nga vetë SPAK, por e kemi minimizuar shumë,” — u shpreh ai.

Në lidhje me raportimet për një kërcënim ndaj prokurorit të çështjes, Dumani i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke shprehur mbështetjen e plotë për Prokurorin Enkeleda Premçi.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim ndaj prokurorit të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka mbështetjen time të plotë. Kam kontakte të shpeshta me të,” — tha ai.

Dumani shtoi se prokurori nuk ka raportuar asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim, as nga Kryeministri dhe as nga persona të tjerë, duke nënvizuar se çdo prokuror është i pavarur dhe përgjegjës për hetimet që drejton.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit