

Tiranë, 5 Nëntor 2025
Qeveria ka përgatitur projektligjin për “Paqen Fiskale”, që parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore të akumuluara deri më 31 dhjetor 2014, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Drafti është në fazën e konsultimit publik me institucionet dhe grupet e interesit.
Sipas projektligjit, do të fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, direkte apo indirekte, të regjistruara në administratën tatimore, ndërsa për sigurimet shoqërore e shëndetësore do të falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, pa përfshirë kontributet.
Në nenin 5 të draftit theksohet se të vetëpunësuarit në bujqësi përfshihen në faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, por jo të kontributeve bazë.
Projektligji përjashton nga përfitimi bizneset që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose ndodhen në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën tatimore dhe doganore.
Sipas të dhënave zyrtare, borxhet tatimore të krijuara deri në fund të vitit 2014 arrijnë në 29.5 miliardë lekë (rreth 295 milionë euro), prej të cilave 45.3 milionë euro janë sigurime shoqërore e shëndetësore që nuk përfshihen në fshirje. Nga detyrimet e tjera tatimore fshihen rreth 249.7 milionë euro, ndërsa borxhi doganor me vjetërsi mbi 10 vjet vlerësohet në 257.6 milionë euro.
Në total, borxhi që pritet të fshihet përmes “Paqes Fiskale” shkon në rreth 507.3 milionë euro.
Projektligji pritet të kalojë për miratim në Kuvend pas përfundimit të fazës së konsultimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






