












Një djalë nga Tirana po ndërton një karrierë të re në një nga skenat më të mëdha të modës në botë. Jurgen Lika, i diplomuar në Mjekësi Veterinare, ka zgjedhur një rrugë ndryshe — atë të modelingut — dhe tashmë ka sfiluar në New York Fashion Show, një nga eventet më prestigjioze të industrisë.
Në këtë intervistë me noa.al, Jurgeni rrëfen fillimet, përvojat dhe planet e tij për të ardhmen.
Në fund të intervistës, Jurgeni e përmbyll me një reflektim të qetë: “Unë besoj se çdo njeri ka momentin e vet. Duhet vetëm të jesh gati kur mundësia troket.”
NOA.AL – Je diplomuar për Mjekësi Veterinare, por gjendesh në botën e modelingut, dëshirë e hershme?
Jurgen Lika: Ka qenë një vendim i menduar prej kohësh. Më duhej vetëm një mundësi, një derë ku të trokisja. Unë jam lindur në Tiranë dhe dëshira për t’u bërë pjesë e botës së modës ka qenë gjithmonë me mua, por mundësitë në Shqipëri ishin shumë të kufizuara, thuajse zero.
Si reaguan njerëzit përreth teje kur vendose të ndjekësh këtë rrugë kaq ndryshe?
Shumica kanë qenë kundër vendimeve të mia në fillim, por unë isha i vendosur të ndiqja drejtimin tim.
Si ishte përvoja e parë në New York Fashion Show? Çfarë veçon prej saj?
Ishte emocionuese dhe magjike. Një eksperiencë që nuk harrohet lehtë. Veçoj komplimentet për tiparet, mënyrën e paraqitjes dhe veshjen. Amerikanët nuk kanë frikë të të vënë në pah gjërat e bukura dhe kjo të jep shumë besim e siguri në vetvete.
Si ndryshon një event i tillë nga sfilatat apo projektet më të vogla që ke bërë më parë?
Është si nata me ditën. New York-u është një botë më vete — origjinale, me njerëz që dinë të vlerësojnë dhe që të bëjnë të ndihesh si një profesionist me shumë vite përvojë.
A ndihesh si përfaqësues i një imazhi shqiptar në arenën ndërkombëtare?
Po, gjithmonë prezantohem si Jurgeni nga Shqipëria. Imazhi mesdhetar përputhet shumë mirë me tiparet e mia, dhe këtë ma kanë thënë edhe profesionistët e fushës.
Si mendon se perceptohet një model nga Shqipëria në tregun amerikan të modës?
Ka ende shumë dilema dhe shpesh paragjykime, por gjërat po ndryshojnë, dhe pse ngadalë.
Cila ka qenë sfida më e madhe që ke hasur deri tani në këtë industri?
Konkurenca. Në një casting të vetëm mund të marrin pjesë deri në 2000 modelë nga e gjithë SHBA-ja.
Dhe si e përballon konkurrencën në një treg kaq të ngjeshur si ai i Nju Jorkut?
Duke njohur mirë vlerat e mia, pikat e forta dhe ato të dobëta. Kështu di si të prezantohem si duhet.
Sa e rëndësishme është disiplina personale në suksesin e një modeli?
Shumë e rëndësishme. Një model duhet të ketë një axhendë të qartë dhe të mos e shkelë kurrë. Puna me orar, përgatitja dhe serioziteti bëjnë diferencën.
Cilat janë objektivat e tua profesionale për vitet e ardhshme dhe i shihni në SHBA apo Shqipëri?
Të jem pjesë e revistave të modës — të bëhem imazh i përmbajtjeve dhe kopertinave ndërkombëtare. Në Shqipëri do të më kthente ndoshta një reality show ose një program televiziv. Përndryshe, e shoh të ardhmen time profesionale në Nju Jork. /noa.al
***
Jurgeni, historia e veterinerit që u bë model
I lindur në Tiranë, Jurgen Lika po zhvillon karrierën e tij në skenën ndërkombëtare të modës. I diplomuar në Mjekësi Veterinare, ai ka zgjedhur të ndjekë një rrugë profesionale ndryshe, duke hyrë në industrinë e modelingut.
Me një profil që ka tërhequr vëmendjen e agjencive ndërkombëtare, është përzgjedhur të marrë pjesë në New York Fashion Show, një nga ngjarjet më të mëdha të modës në botë.
Fotot e tij janë publikuar në platformën zyrtare të Getty Images, që dokumenton pjesëmarrësit e eventeve ndërkombëtare. Përmes përkushtimit dhe punës së vazhdueshme, Jurgeni është bërë pjesë në disa pasarela të njohura në Nju Jork, ku aktualisht po ndërton dhe konsolidon karrierën e tij si model.
Ai synon të vazhdojë aktivitetin profesional në tregun amerikan të modës dhe të zgjerojë bashkëpunimet me marka dhe shtëpi modelingu ndërkombëtare./noa.al
Fotot në galeri, dërguar nga i intervistuari me kërkesë të redaksisë
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






