

Tiranë, 4 nëntor 2025 – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se SPAK po vepron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke goditur korrupsionin “pa parë majtas apo djathtas”. Duke folur përmes një videomesazhi në Samitin e Zgjerimit për Euronews, Rama theksoi se Shqipëria është shembull unik në rajon për drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Shqipëria po bën diçka të paparë dhe unike në të gjithë rajonin,” u shpreh kryeministri, duke theksuar se Reforma në Drejtësi dhe pavarësia reale e institucioneve të reja kanë krijuar një praktikë që, sipas tij, nuk është parë më parë në vend që prej krijimit të shtetit shqiptar.
Rama nënvizoi se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri po zhvillohet thellë dhe në mënyrë të balancuar, pavarësisht përkatësive politike. “Shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar, pa parë në të majtë a në të djathtë, kush është në qeveri apo opozitë,” deklaroi ai.
Kreu i qeverisë shtoi se vendi pranon partneritet dhe mbështetje ndërkombëtare, por jo “leksione” për këtë çështje. “Ne pranojmë mbështetje, pranojmë ndihmë, por nuk pranojmë leksione nga askush kur vjen fjala për luftën kundër korrupsionit,” tha Rama.
Deklaratat vijnë në një moment kur veprimtaria e SPAK mbetet në qendër të debatit publik dhe politik, ndërsa institucionet e drejtësisë kanë ndërmarrë hetime dhe procedura ndaj figurave të ndryshme të jetës publike dhe politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






