Transmetuar më 04-11-2025, 21:38

Si ta lexojmë raportin e Brukselit: SPAK merr notë pozitive, qeveria ngec në vendnumëro

Megjithatë, Brukseli veçoi: Shqipëria në rrugë të mirë drejt përfundimit të negociatave deri në vitin 2027

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në procesin e integrimit europian, duke hapur katër klasterë gjatë vitit të kaluar dhe duke qenë në fazë të avancuar për hapjen e kapitullit të fundit brenda këtij viti.

Në raport thuhet se është arritur progres i ndjeshëm në çështjet themelore, sidomos në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, Brukseli nënvizon se tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur objektivat ndërmjetëse në fushat themelore, çka do të hapë rrugën për mbylljen e kapitujve negociues sapo të përfundojnë reformat sektoriale të kërkuara.

Sipas Komisionit, për të arritur synimin e përfundimit të negociatave deri në vitin 2027, Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të forcojë dialogun politik gjithëpërfshirës. “Nëse ky ritëm reformash mbahet, Shqipëria është në rrugë të mirë për të arritur këtë objektiv ambicioz,” thuhet në raport.

Ngecje serioze në qeverisje

Raporti i Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i publikuar të martën, jep një tablo të qartë të ecurisë së vendit drejt integrimit europian: përparim i dukshëm në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ngecje serioze në qeverisje, liri mediatike, të drejta pronësie dhe transparencë.

SPAK, shembulli që Brukseli e vlerëson

Në dokumentin zyrtar, Komisioni vlerëson me tone pozitive punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar rritjen e kapaciteteve, bashkëpunimin me agjencitë e BE-së dhe rezultatet konkrete në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kapaciteti dhe efektiviteti i SPAK për të goditur grupet kriminale është rritur, dhe përdorimi i hetimeve financiare është përmirësuar ndjeshëm,” thuhet në raport.

SPAK shihet si një nga institucionet më funksionale të reformës në drejtësi dhe si faktor kyç për rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të vendit. Megjithatë, Komisioni kujton se shumë nga rekomandimet e vitit të kaluar mbeten vetëm pjesërisht të zbatuara dhe kërkon thellim të hetimeve financiare, veçanërisht në fushën e pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurive kriminale.

Qeveria, nën kritika për sundimin e ligjit dhe lirinë e medias

Në anën tjetër, raporti nuk kursen kritikat për ekzekutivin. Sipas Komisionit, qeveria ka bërë “përparim të kufizuar” në fusha themelore si sundimi i ligjit, liria e medias dhe të drejtat e pronës.

Përdorimi i shpeshtë i akteve normative për ndryshimet buxhetore, mungesa e konsultimeve publike dhe politizimi i institucioneve të pavarura janë cilësuar si shenja të një qeverisjeje jo plotësisht transparente.

Në fushën e lirisë së shprehjes, Brukseli thekson se “pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike,” ndërsa gazetarët përballen ende me presione, pasiguri dhe mungesë mbrojtjeje ligjore efektive.

Demokracia dhe Kuvendi, peng i polarizimit

Raporti risjell kritikat për zgjedhjet e fundit parlamentare, duke iu referuar gjetjeve të OSBE/ODIHR për “mungesën e kushteve të barabarta” dhe “abuzimin me burimet publike.”

Kuvendi vlerësohet si “pjesërisht efektiv,” për shkak të mungesës së dialogut politik dhe mbikëqyrjes së dobët ndaj qeverisë. Komisioni kërkon që procesi i integrimit të bëhet më gjithëpërfshirës dhe të bazohet në konsensus ndërpartiak.

Korrupsioni: përparim në ndjekje, jo në ndëshkim

Edhe pse Komisioni njeh “rezultate pozitive” në luftën kundër korrupsionit falë SPAK-ut, theksohet se fenomeni mbetet “i përhapur në sektorë të ndjeshëm.”

Raporti kërkon më shumë vendime gjyqësore përfundimtare, sidomos në nivelet e larta, si dhe sekuestrime të aseteve që burojnë nga korrupsioni. Po ashtu, theksohet nevoja për transparencë në deklarimin e pasurive dhe forcimin e ILDKPKI-së.

Ekonomia dhe prokurimet: kërkohet llogaridhënie dhe transparencë

Në fushën ekonomike, Komisioni kërkon rritje të transparencës për ndërmarrjet shtetërore dhe raportim të qartë financiar. Në kapitullin e prokurimeve publike, Shqipëria vlerësohet me “përparim të kufizuar.” BE kërkon që të rishikohen procedurat konkurruese, si dhe ligjet për koncesionet dhe partneritetet publike-private, në përputhje me standardet e Unionit.

Gjyqësori: më i fortë, por jo imun ndaj presioneve

Reforma në drejtësi ka sjellë “përparim të mirë” në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, por Komisioni paralajmëron se ndikimet politike dhe presionet ndaj sistemit mbeten një shqetësim serioz.

Sfida vazhdojnë për emërimet në KLGJ dhe KLP, si dhe për garantimin e pavarësisë reale të trupës gjyqësore.

Të drejtat e pronës dhe mjedisi: plagët e hapura të Shqipërisë

Brukseli e cilëson të drejtën e pronës si “problem të vazhdueshëm”, për shkak të ritmit të ngadaltë në regjistrimin dhe digjitalizimin e pronave dhe mungesës së transparencës në Kadastrën Shtetërore.

Në fushën e mjedisit, vlerësimi është edhe më kritik: “niveli i përgatitjes mbetet i ulët dhe nuk ka pasur progres gjatë vitit.” Komisioni paralajmëron se ligji i ri “Paketa e Maleve” mund të ketë pasoja për menaxhimin e tokës dhe kërkon veprime urgjente për përmirësimin e cilësisë së ujit, ajrit dhe klimës.

Përfundimi: Brukseli e njeh suksesin e drejtësisë, por pret më shumë nga qeverisja

Në thelb, raporti i Brukselit është një sinjal i qartë: Shqipëria po ecën përpara në drejtësi, por po ngadalësohet në qeverisje.

SPAK është i vetmi shembull që ngre besueshmërinë e vendit në sytë e Europës, ndërsa reformat politike dhe institucionale kërkojnë më shumë vullnet, transparencë dhe përfshirje.

Nëse qeveria nuk ndryshon ritëm, rruga drejt përfundimit të negociatave në 2027 mund të mbetet vetëm në letër. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit