Transmetuar më 04-11-2025, 20:50

Edi Rama reagon pas vendimit të Kushtetueses për Veliajn: “Tirana nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me çështjen e Erion Veliajt, duke renditur tre “rrjedhime logjike” nga ky vendim.

Sipas Ramës, vendimi tregon qartë se “nuk i ka kapur të gjitha pushtetet”, duke e cilësuar këtë si një gjë të mirë dhe të shëndetshme për demokracinë.

Në pikën e dytë, ai nënvizon se mbajtja në burg e kryebashkiakut të Tiranës tashmë nuk është vetëm çështje individuale, por edhe dëm ndaj të drejtës kushtetuese të qytetarëve të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre.

Rama shton se kushdo që e sheh vendimin e Kushtetueses si një qëndrim parimor dhe jo si sulm ndaj qeverisë, duhet të presë që në të njëjtën frymë parimore, gjykata të lejojë që Veliaj të vijojë procesin gjyqësor në gjendje të lirë.

“Kushdo që ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë”, përfundon Rama.

Qëndrimi i plotë

Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo🤷🏻‍♂️

2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo🤷🏻‍♂️

3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo🤷🏻‍♂️

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit