Transmetuar më 04-11-2025, 20:08

Prishtinë- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.

“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.

Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës:

“Sot, në përputhje me Kushtetutën, kam mandatuar zotin Glauk Konjufca për kryeministër, ashtu siç qartë e përcakton Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese,” tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota.

“Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht,” tha Kurti.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit