

Bolonja- Një 16-vjeçar në Itali është dënuar ditën e sotme me 17 vite burg për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila ra nga ballkoni i banesës së saj nga kati i shtatë, ngjarje kjo që ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza.
Sipas Ansa-s, seanca gjyqësore u zhvillua në Gjykatën e të Miturve në Bolonja, ku gjyqtari vendosi për dënimin me 17 vite heqje lirie, pasi prokurori i çështjes kishte kërkuar 20 vite dhe 8 muaj burg.
Prindërit e Aurorës, janë shprehur se drejtësia është vendosur në vend, por do të ishte më mirë sipas tyre që 16-vjeçari të dënohej me 20 vite burg, e jo 17.
“Jam e kënaqur me dënimin prej 17 vitesh burg, edhe pse 20 do të ishin më mirë. Të paktën, drejtësia është vënë në vend. Gjithmonë kam besuar tek drejtësia, e kam thënë këtë që nga fillimi”, u shpreh nëna e 13-vjeçares së ndjerë.
Viktima dhe 16-vjeçari kanë qenë të lidhur, e sipas raportimeve të mëparshme, ka qenë vajza e cila i ka dhënë fund marrëdhënies për shkak të problemeve që kanë pasur.
Familjarët e viktimës, kanë shprehur se ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni, por e ëma e 13-vjeçares kishte kryer disa ditë para ngjarjes tragjike një denoncim për adoleshentin, pasi e shqetësonte të miturën.
Sakaq, 16-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se vajza është hedhur vetë nga ballkoni. Ka qenë ai i cili ka kërkuar ndihmë te fqinjët në momentin e parë dhe kishte telefonuar policinë.
Por dëshmitë treguan të kundërtën.
Një dëshmitar zbuloi se ishte i pandehuri ai që e bëri Aurorën të rrëzohej, ndërsa ajo, e kapur pas kangjellave dhe pas belit, i tha: "Të dua, nuk mund të ma bësh këtë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






