Transmetuar më 03-11-2025, 18:31

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka një ndikim të dyfishtë thelbësor: Rrëzon Dekretin Presidencial për zgjedhjet. Shfuqizon vendimin e Këshillit Bashkiak dhe atë të Qeverisë për shkarkimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj. Argumenti: Kushtetuta është mbi ligjin – për rrjedhojë, procesi i shkarkimit është i parregullt

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për çështjen e ankimit të Erion Veliajt, duke rrëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe dekretin e Presidentit për zgjedhje të reja.

Në vendimin e marrë 5 me 3 nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Kushtetuta është mbi çdo ligj, dhe se ligji për vetëqeverisjen vendore nuk mund të krijojë norma të reja paralele që kufizojnë kompetencat kushtetuese të njësive vendore.

Sipas trupës gjyqësore, procesi i Këshillit të Ministrave ndaj Veliajt ka qenë i parregullt, pasi nuk është respektuar procedura e përcaktuar nga neni 115 i Kushtetutës, që rregullon raportet midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore.

Gjykata vuri në dukje se qeveria nuk ka kompetencë të krijojë norma ligjore të reja për tejkalimin e dispozitave kushtetuese.

Në shkaqet e vendimit theksohet gjithashtu se Këshilli Bashkiak duhet të kishte zhvilluar një proces fizik dhe të hapur, ku kryebashkiaku i shkarkuar kishte të drejtën e mbrojtjes dhe të shpjegimit, çka në rastin e Veliajt nuk ndodhi.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe se nuk do të ketë zgjedhje në Tiranë, duke rrëzuar kështu dekretin e Presidentit Begaj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sugjeron se riafirmon parimin themelor se Kushtetuta mbetet norma më e lartë juridike në vend dhe se çdo vendimmarrje administrative duhet të jetë në përputhje të plotë me të, duke garantuar autonominë e pushtetit vendor. /noa.al

Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, sot pasi u bë publik vendimi për VeliajnFotot: NOA/LSA

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit