Transmetuar më 03-11-2025, 17:16

Ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën po zbardhet nga detajet e reja të hetimit. Autori i dyshuar i përdhunimit të një 29-vjeçareje është identifikuar si Armando Mirashi, 31 vjeç, i cili u ndalua nga policia pasi në automjetin e tij u gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi kokaine.

Sipas burimeve policore, Mirashi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me viktimën në automjetin e tij dhe më pas është drejtuar drejt një lokali në pronësi të Ersel Kumrijës, 24 vjeç, ku dyshohet se zhvillohej aktivitet i paligjshëm me drogë.

Në ambientet e lokalit, gjatë kontrollit të policisë, u gjetën një pistoletë, një jelek antiplumb dhe dy shkopa bejsbolli, ndërsa hetimet tregojnë se lokali ishte përshtatur për përdorim dhe tregtim të lëndëve narkotike.

Në momentin e ndërhyrjes së forcave të policisë, në lokal ndodheshin edhe pesë persona të tjerë, të cilët dyshohet se kishin dijeni për aktivitetin kriminal, por nuk e kishin kallëzuar. Ata janë:

Endrit Kumrija, 23 vjeç

Anesti Prroi, 25 vjeç

Siciljan Cakraj, 28 vjeç

Klevi Reka, 24 vjeç

Anxhelo Hodja, 26 vjeç

Të gjithë këta shtetas janë arrestuar për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Operacioni i koduar “Several”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 3 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ka çuar në sekuestrimin e dy armëve të zjarrit, municioni luftarak, një jeleku antiplumb, drogë, dy automjete, shtatë celularë dhe dy armë të ftohta.

Ndaj të arrestuarve po kryhen hetime nga Prokuroria e Tiranës, për të sqaruar rolet dhe përgjegjësitë e secilit, ndërsa për 31-vjeçarin Armando Mirashi procedimi penal përfshin tre akuza të rënda:

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura,

Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit,

Prodhim dhe shitje narkotikësh.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ngjarja lidhet me një rrjet më të gjerë të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe veprimtarisë kriminale në kryeqytet. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit