

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se xhandarmëria serbe dyshohet se ka hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku ka plagosur dhe rrëmbyer një shtetas të Kosovës, të nacionalitetit serb.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor në zonën e Leposaviqit. Sipas njoftimit zyrtar, “Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit një person (M.V.), shtetas i Republikës së Kosovës, është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të vendit nga xhandarmëria serbe”.
Rasti dyshohet se ka ndodhur në zonën e njohur si “pika zero”, në afërsi të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Policia ka njoftuar menjëherë KFOR-in, i cili ka përgjegjësi për atë brez kufitar.
Dëshmitarë të rastit kanë treguar se disa persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilën më pas e kanë transportuar drejt territorit të Serbisë. Sipas informacioneve fillestare, personi është dërguar me autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe po bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






