

Gjykata Kushtetuese del me njoftim për çështjen Veliaj, janë pezulluar zgjedhjet e pjesshme në Tiranë
Gjykata Kushtetuese njoftoi se pas pak do të dalë me një deklaratë zyrtare për mediat në lidhje me çështjen e padisë së Erion Veliajt kundër vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata bën të ditur se kryetarja Holta Zaçaj do të sqarojë vendimin që lidhet me kërkesën e Veliajt për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25 shtator 2025, të cilin ai e ka cilësuar të kundërligjshëm dhe në shkelje të Kushtetutës.
Gjithashtu, Gjykata do të flasë dhe për shqyrtimin e dekretit të presidentit të Republikës nr. 350, datë 1 tetor 2025, që caktonte datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Në fokus do të jetë vlerësimi nëse ky dekret është në përputhje me nenet 115/2 dhe 115/3 të Kushtetutës.
Deri në marrjen e vendimit përfundimtar, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar efektet juridike të dekretit presidencial, çka do të thotë se zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës nuk mund të zhvillohen derisa të përfundojë shqyrtimi i plotë i çështjes.
Deklarata e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pritet në orën 17:00, në ambientet e Gjykatës, dhe pritet të japë sqarime mbi procesin e shqyrtimit dhe arsyetimin ligjor të pezullimit të dekretit presidencial.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






