

Shkup | 2 nëntor 2025
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se është numëruar rreth 90% e votave të zgjedhjeve lokale të mbajtura sot, me rezultate paraprake që tregojnë një avantazh të dukshëm për VMRO–DPMNE-në.
Sipas të dhënave të deritanishme, partia në pushtet ka siguruar rreth 20 komuna. Ndërkohë, koalicionet shqiptare VLEN dhe AKI kanë marrë gjithsej 5 komuna, nga të cilat 4 janë për VLEN, ndërsa një për Aleancën për Kombin dhe Integrimin (AKI).
Rezultatet paraprake të numërimit të votave janë si më poshtë: – VMRO–DPMNE: 20 komuna – LSDM: 4 komuna – VLEN: 4 komuna – AKI: 1 komunë – Unioni i Romëve: 1 komunë – ZNAM: 1 komunë – Mendi Qyra: 1 komunë
Ndërkohë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, doli në konferencë për media pas rundit të dytë të votimit, ku pranoi humbjen në garën për drejtimin e komunave. Ai deklaroi se partia e tij nuk ka arritur të fitojë kryetarë bashkie, por theksoi se BDI ka marrë shumicën e votës popullore.
“Ne kemi fituar shumicën e votës popullore, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Është një mesazh që e pranojmë me përgjegjësi. Qytetarët besojnë në vlerat dhe vizionin tonë, por kërkojnë ndryshim në mënyrën e komunikimit me ta në terren,” u shpreh Ahmeti.
Ai akuzoi kundërshtarët për përdorim të resurseve shtetërore dhe ushtrim presioni financiar ndaj votuesve, ndërsa paralajmëroi riorganizim të strukturave partiake.
“Humbja e disa pozicioneve është thirrje për të forcuar strukturat dhe për t’u afruar më shumë me qytetarët. Do të bëjmë analizë të thelluar dhe do të rinovojmë radhët tona,” theksoi ai.
Me procesin e numërimit drejt përfundimit, pritet që rezultatet zyrtare të publikohen së shpejti, duke përcaktuar zyrtarisht hartën e re politike lokale në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






