

Alpet italiane, Itali | 02.11.2025
Një tragjedi e rëndë ka goditur Alpet italiane, ku pesë alpinistë gjermanë kanë humbur jetën pasi u përfshinë nga një ortek dëbore gjatë ngjitjes në majën Cima Vertana, në masivin Ortler, në Tirolin Jugor. Viktimat ishin pjesë e një grupi prej shtatë personash dhe mes tyre ishte edhe një vajzë 17-vjeçare.
Sipas ekipeve të shpëtimit alpin, orteku ra të shtunën, duke varrosur plotësisht tre alpinistë të grupit të parë. Trupat e tyre u gjetën pak pas aksidentit, ndërsa trupat e një babai dhe vajzës së tij 17-vjeçare, të cilët ishin zhdukur, u lokalizuan mëngjesin e së dielës.
Dy alpinistë të grupit tjetër arritën të mbijetonin dhe dhanë alarmin, duke bërë të mundur nisjen e menjëhershme të operacionit të kërkim-shpëtimit. Tragjedia ka ndodhur në një lartësi rreth 3.200 metrash, pak para orës 16:00.
Në vendngjarje u angazhuan ekipe të specializuara të shpëtimit malor, zjarrfikës dhe dy helikopterë, por përpjekjet e tyre nuk mundën të shmangnin humbjet e rënda të jetëve njerëzore. Autoritetet njoftuan se po vijon puna për hetimin e rrethanave të aksidentit dhe për vlerësimin e kushteve të sigurisë në zonë, e cila njihet për terrenin e vështirë dhe rrezikun e ortekëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






