

Fatos Nano përcillet me nderime shtetërore për në banesën e fundit
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u përcoll sot për në banesën e fundit në një ceremoni shtetërore të mbushur me dhimbje, respekt dhe nderim për figurën e tij politike dhe njerëzore.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë, përfaqësues diplomatikë, drejtues fetarë dhe personalitete të artit e kulturës, për të nderuar një nga figurat më ndikimshme të tranzicionit politik shqiptar.
Në shenjë respekti, Qeveria shpalli 2 nëntorin Ditë Zie Kombëtare, ndërsa flamujt në institucionet publike u ulën në gjysmë shtizë. Në mesditë, e gjithë Shqipëria ndaloi për një minutë heshtje në kujtim të ish-kryeministrit.
Ceremonia shtetërore u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, ku Garda e Republikës përcolli arkëmortin me nderime solemne. Pas përfundimit të homazheve, kortezhi funebër u drejtua për në varrezat e Sharrës, ku trupi i tij u vendos për prehje të përjetshme në një ceremoni private familjare.
Atmosfera u shoqërua me muzikë funebre nga Orkestra e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, duke krijuar një ndjenjë të thellë respekti dhe reflektimi për figurën e Fatos Nanos.
Në ceremoni mbajtën fjalime bashkëshortja e tij Xhoana Nano, djali Sokol Nano dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët theksuan vizionin, guximin dhe integritetin e Fatos Nanos si një arkitekt të socialdemokracisë shqiptare dhe si një njeri që i dha formë politikës moderne të vendit.
Më 25 gusht 2023, Nano ishte nderuar nga Kryeministri Rama me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, për kontributin e tij në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin e tij vendimtar në momentet kyçe të historisë së Shqipërisë.
Fatos Nano do të mbahet mend si themelues i Partisë Socialiste, një burrë shteti me vizion europian, që besoi në lirinë, shtetin dhe njeriun. Trashëgimia e tij mbetet e gjallë në politikën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve, si një figurë që la pas një epokë të tërë të transformimit dhe modernizimit të Shqipërisë.




Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






