

Vlorë | 2 nëntor 2025
Në foto (majtas) është Dalan Alliaj, 36 vjeç, i cili dyshohet se u vra në pragun e shtëpisë nga kushëriri i tij, Bertil Alliaj 32 vjeç. Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjorm të Vlorës. Ai humbi jetën pas një konflikti, ku dyshohet se u qëllua përpara banesës së kushëririt të tij, Bertil Alliaj, 32 vjeç. Pavarësisht ndërhyrjes së familjarëve për ta transportuar drejt spitalit, ai kishte ndërruar jetë.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar u arratis drejt zonës malore, ndërsa policia nisi një operacion intensiv kërkimi me përdorimin e dronëve dhe forcave speciale. Rreth orës 01:05 të mëngjesit, pas rreth pesë orësh ndjekjeje, Bertil Alliaj u lokalizua në një zonë të pyllëzuar dhe u vu në pranga nga forcat e rendit.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj të arrestuarit, u sekuestruan një armë zjarri e tipit “Beretta FS92”, një krehër dhe 10 fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur në ngjarje, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën prova materiale për hetimin. Para autoriteteve, ai ka dhënë një deklarim të shkurtër, duke thënë se “nuk është ende gati të flasë për motivin”.
Bertil Alliaj rezulton person i dënuar më herët me 35 vite burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, në lidhje me ngjarjen e njohur si masakra e Çoles e vitit 2015. Pas arrestimit, ndaj tij u ekzekutua vendimi i formës së prerë.
Ndërkohë, viktima Dalan Alliaj ishte administrator i kompanisë “Allidagu” në Fier, me aktivitet në sektorin e ushqimeve, mbarështimit të kafshëve dhe tregtisë së automjeteve. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






