

TIRANA- E diela e sotme është shpallur Ditë Zie Kombëtare me vendim të qeverisë, në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 73-vjeçare.
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit homazhet publike, ku qytetarë të shumtë nga kryeqyteti dhe rrethet po i japin lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të pas viteve ’90. Homazhet do të vijojnë deri në orën 11:00.
Më pas, nga ora 11:15 deri në 11:45, do të zhvillohen homazhet shtetërore, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta politike dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Gjatë kësaj ceremonie do të mbahen edhe fjalime nga kryeministri Edi Rama, pasues i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, si dhe nga një anëtar i familjes së tij.
Në orën 12:00, në të gjithë vendin do të ndërpriten aktivitetet publike dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të Fatos Nanos, ndërsa flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë.
Pesë minuta më vonë, në orën 12:05, do të nisë ceremonia funebre shtetërore, pas së cilës trupi i Fatos Nanos do të përcillet drejt banesës së fundit në një ceremoni private familjare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






