Transmetuar më 01-11-2025, 22:39

Vlorë- Merr një tjetër dinamikë vrasja e mbrëmjes së sotme në fshatin Gjormë të Selenicës. Viktima Dalan Alliaj sipas njoftimit zyrtar të policisë është qëlluar për vdekje me 6 plumba nga kushëriri i tij Bertil Alliaj.

Viktima ishte nga Levani i Fierit ku jetonte dhe kishte një biznes pjesë këmbimi për automjetete. Siç u raportua më herët ai ishte në Gjormë, për vizitë te xhaxhai i tij.

Dhe u mësua se ishte qëlluar për vdekje nga një person teksa po hynte në derën e shtëpisë së xhaxhait sot në mbrëmje. Por tashmë policia sqaron se autori i ngjarjes është djali i xhaxhait, Bertil Alliaj.

Nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Por, siç e kemi bërë me dije më parë, Bertil Alliaj është i përfshirë në ngjarjen e masakrës së Çoles.

Autori pas ngjarjes është arratisur në zonën malore përreth dhe po bëhen përpjekje për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak në vijim

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.

Pas kryerjes së krimit, shtetasi B. A. është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit