

Manchester United u ndal në barazim 2-2 në transfertë ndaj Nottingham Forest, duke frenuar serinë pozitive prej tre fitoreve radhazi në Premier League. Pavarësisht avantazhit fillestar nga Casemiro (34’), “djajtë e kuq” u përmbysën brenda dy minutave në fillim të pjesës së dytë, pas golave të Gibbs-White (48’) dhe Savona (50’), përpara se Amad Diallo të shpëtonte pikën me një goditje spektakolare volej në minutën e 81-të.
Të dyja skuadrat patën mundësi të arta në fund, por barazimi mbeti rezultati final. Forest shmang një tjetër humbje pas katër disfata radhazi, ndërsa United mbetet në garë për zonën europiane, por konfirmon luhatjet e këtij sezoni.
Crystal Palace, fitore bindëse ndaj Brentford Edhe pas kualifikimit të fortë në Kupën e Ligës kundër Liverpool, Crystal Palace vijoi formën e shkëlqyer, duke mposhtur 2-0 Brentford. Jean-Philippe Mateta shënoi golin e tij të 8-të sezonal (31′), ndërsa një autogol i Collins (51’) vulosi rezultatin. “Shqiponjat” ngjiten në mesin e tabelës dhe japin sinjale force.
Fulham “demolues” ndaj Wolves Në përballjen direkte për mbijetesë, Fulham triumfoi thellë 3-0 ndaj Wolves, që mbetet skuadra e vetme pa fitore këtë sezon. Sessegnon (9’), Wilson (62’) dhe autogoli i Mosquera (75’) vulosën fitoren e londinezëve, ndërsa Wolves luajti me një lojtar më pak që prej minutës së 36-të pas kartonit të kuq për Agbadou. Brighton rikthehet te fitorja kundër Leeds Pas humbjes së fundit, Brighton reagoi fuqishëm duke mposhtur 3-0 Leeds United. Welbeck hapi serinë (11’), ndërsa Diego Gomez shënoi dy gola të shpejtë (64’, 70’) duke mbyllur një paraqitje dominuese.
Në Premier League, gara mbetet e ndezur si për kreun, ashtu edhe për mbijetesën, me ekipet që vazhdojnë të dorëzojnë spektakël javë pas jave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






