Transmetuar më 01-11-2025, 18:51

TIRANË – Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të forta disiplinore pas ngjarjes së rëndë në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa dhe u mbajt për disa orë nën dhunë dhe kërcënime për jetën, për motive të dobëta. Pas analizës së rastit, u konstatua se drejtuesit e DVP Korçë nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk e kanë menaxhuar situatën në mënyrë profesionale, duke cënuar imazhin e Policisë në komunitet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka firmosur shkarkimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti. Po ashtu, është pezulluar nga detyra Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka hapur procedim disiplinor ndaj gjithë zinxhirit drejtues të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave që kanë sjellë pasoja të rënda.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, detyra e Drejtorit të DVP Korçë është marrë përkohësisht nga Drejtues Islor Islami, i cili deri tani kryente funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës, deri në përfundim të konkursit për pozicionin vakant.

Ngjarja përfshiu tre rrëmbyes, përfshirë edhe Alti Nallbatin, vëllain e Bledion Nallbatit. Përkohësisht, detyrën e drejtuesit të Policisë së Korçës e ka marrë Islor Islami, i cili më parë drejtonte Policinë e Kufirit në Kukës.

Policia e Shtetit deklaron se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe ndërmerr masa ndëshkimore në zbatim të ligjit dhe rregullores së Policisë, duke garantuar standarde të larta shërbimi dhe llogaridhënie para qytetarëve.

Si ndodhi ngjarja?

Policia e Devollit ka zbardhur dinamikën e pengmarrjes të 32-vjecarit Ilir Topçiu në fshatin Vishiocë të Devollit, ngjarje e ndodhur më datë 30 tetor. Blutë bëjnë me dije se lidhur me ngjarjen janë arrestuar tre persona, Alti Nallbati, (vëllai i deputetit Bledion Nallbati), Marsel Buci dhe Trajan Çeliku. Ata akuzohen se morën me forcë nga banesa për motive të dobëta 32-vjeçarin, e kërcënuan me jetë dhe ushtruan dhunë fizike ndaj tij.

Sipas hetimeve, Nallbati, Buci dhe Çeliku kanë marrë me forcë nga banesa 32-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar.

Policia e Shtetit

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.

Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:

Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;

Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit