Transmetuar më 01-11-2025, 10:52

Durrës, 1 Nëntor 2025

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 34-vjeçarin Marjan Kodheli, i cili akuzohet se vrau me thikë të atin, Pjetër Kodhelin, në banesën e tyre.

Sipas Prokurorisë, krimi ka ndodhur në katin e parë të shtëpisë, në kuzhinë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se viktima kishte marrë dy plagë në kokë dhe pesë plagë të tjera në trup, ndërsa janë vërejtur edhe gërvishtje të lehta. Në vendngjarje u gjetën një thikë dhe një shufër hekuri, të cilat dyshohen se janë përdorur gjatë krimit.

Nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës, Valentinës, mësohet se Marjani gjatë ditës ishte treguar i mërzitur. Në momentin që ajo kishte dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe është kthyer menjëherë në banesë, ku ka parë djalin duke e goditur të atin me thikë. Ajo ka tentuar ta ndalonte, por nuk ka mundur.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Marjan Kodheli ka rrëfyer se pas një debati të shkurtër me të atin, kishte ndjerë se po sulmohej dhe në gjendje tensioni kishte kapur thikën që ndodhej pranë. Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga banesa, por ishte rikthyer më pas për të marrë telefonin. Sipas dosjes hetimore, në atë moment, ai ka goditur sërish të atin me një shufër hekuri, përpara se të largohej përfundimisht.

Avokatja e të pandehurit ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e trajtimit të detyruar në një institucion psikiatrik, duke argumentuar se Marjani vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për veprimet e tij.

Gjatë seancës, Kodheli është shprehur se nuk e kujton qartë momentin e ngjarjes dhe se nuk është person i dhunshëm. “Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Nuk jam njeri agresiv, kam punuar ndershëm në ndërtim,” – tha ai para trupit gjykues.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe gjendjen psikologjike të autorit në momentin e krimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit