Transmetuar më 01-11-2025, 07:58

GREQI – Një ngjarje tronditëse ka goditur qytetin e Heraklionit në Kretë mbrëmjen e së enjtes, ku një djalë dyshohet se ka vrarë nënën dhe xhaxhanë e tij duke u vënë zjarrin brenda banesës, e më pas është hedhur nga ballkoni në një tentativë vetëvrasjeje.

Sipas mediave vendase, autoritetet kanë gjetur trupat e viktimave të djegura në dhoma të ndryshme të apartamentit. Paraprakisht raportohet se një prej viktimave është gjetur me një qese plastike në kokë, duke ngritur dyshime se ajo mund të jetë mbytur fillimisht përpara se apartamenti të përfshihej nga flakët.

Sipas informacioneve të para, autori i dyshuar ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe është dërguar me urgjencë në spital, pasi u hodh nga kati i ndërtesës pas kryerjes së krimit. Ende po hetohet nëse ai vuante nga çrregullime të shëndetit mendor.

Mësohet se nëna e tij vuante nga probleme shëndetësore dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte, çka e bëri të pamundur shpëtimin e saj. Ndërkohë, xhaxhai ndodhej gjithashtu brenda banesës në momentin e ngjarjes.

Forcat zjarrfikëse u mobilizuan menjëherë me 16 efektivë dhe 4 automjete. Ata arritën të nxjerrin fillimisht autorin e dyshuar nga banesa, por ai është rikthyer brenda dhe është hedhur nga lartësia, përpara se të transportohej me ambulancë drejt spitalit.

Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të këtij krimi të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Kretë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit