

Nëse doni të kuptoni thelbin e termit Paria e Tiranës, i cili nënkupton se këta janë bashkë dhe punojnë kundër interesave të shqiptarëve, dëgjoni në një emision televiziv se si u bë President Bamir Topi.
Ky emision ritransmetohet në fundjavë dhe kishte të ftuar një ish-bashkëpunëtor të ngushtë të Nanos. Ka qenë e ditur prej nesh kjo histori, por publikut nuk i është servirur kurrë ky variant dhe ka mbizotëruar gënjeshtra dhe injoranca nëpër emisionet e natës.
Në një takim Berisha–Nano–B. Topi në periferi të Tiranës, në qershor 2007, pas një darke të gjatë deri në orët e para të mëngjesit, u nda pazari për deputetët e Nanos që votuan Topin president. Pa ato vota, presidenca mbetej pezull. Berisha mori shkarkimin e Sollakut (sot sekser i drejtësisë së Ramës). Edhe SHIK-un e mori Saliu.
Dihet edhe se çfarë morën deputetët në fjalë nga qeveria Berisha në këmbim, çka ju tregon se marshalli qe në tavë dhe fort. HEC-e të aprovuara në vjeshtë/dimër të 2007-ës, sigurisht nën emra baxhanakësh e kunetërish.
Ndërkohë, mos mendoni se Rama nuk ishte në tavë. Ishte informuar (dhe kishte dhënë konsensus) nga një oligark që luan me tridhjetë porta dhe me arka, Gaja Barbaresko, vila dhe një mijë lloje rryshfetesh. I mban raportet e mira me të gjithë. Nuk po i hyj se agjent i kujt fuqie të huaj është.
Kjo ia ka mundësuar të mos paguajë as taksa e t’i ndërtojnë rrugë me paratë e shqiptarëve, gjer tek bizneset e tij. Jo njëra palë, por të gjitha qeveritë. Një tjetër haberpërçues që ia kishte çuar llafin në vesh Ramës dhe i kishte matur pulsin asokohe ishte një moderator i shquar për një emision shumë popullor dhe opinionbërës për Parinë e Tiranës.
Asokohe oligarku i sipërpërmendur hiqej si demokrat i madh dhe, kur fliste me Ramën, e vendoste në opsionin me zë celularin që ta dëgjonte marshalli, ndërkohë që zgërdhihej në mbrapaskenë.
Ju mund të thoni “s’ka mundësi!”. Mirëpo që Rama qe në tavë bashkë me Berishën dhe Topin e tregon bashkëpunimi i tyre i ngushtë për reformën zgjedhore të vitit 2008. Atëherë, kur aleati i sotëm i Berishës, Meta, i thoshte autokrat atij dhe demokrat Edit, dhe sulmoi Zonjën e Ndryshkut, tuj iu turrë karriges së kryeparlamentares dhe u ngujua në Parlament bashkë me Nard Ndokën. Nardi që u bë ministër i Berishës më mbrapa.
Do thoni ju: si ka mundësi? Sot thonë të kundërtën. Eheee, ka punë puna.
Sot, të gjithë ngashërohen për Nanon.
Kjo është Paria e Tiranës!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






