

Belinda Balluku del nga SPAK: “Kam pranuar kërkesën e Prokurorisë, besoj në transparencën e drejtësisë”
Tiranë – Pas disa minutash qëndrimi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dhënë një deklaratë për mediat, duke konfirmuar se është paraqitur në institucion “në zbatim të një kërkese zyrtare të Prokurorisë së Posaçme” në lidhje me një çështje që ndodhet nën hetim.
“Në respekt të emrit të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje nën hetim. Si një qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe si zyrtare, e shoh këtë si një proces që do të jetë i bazuar në transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë që besojmë,” – u shpreh Balluku.
Ajo shtoi se është shpresëplotë se procesi do të jetë transparent dhe se çdo veprim do të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë.
Balluku u pyet nga gazetarët nëse Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar dorëheqjen, apo nëse ajo do të ndërmarrë vetë një hap të tillë, por nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje, duke u larguar pa dhënë përgjigje.
Kujtojmë se Balluku u paraqit sot në SPAK si person nën hetim në lidhje me tenderat e tunelit të ri të Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 140 milionë euro që po hetohet për dyshime mbi shkelje të barazisë në tendera dhe abuzim me detyrën. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






