

Tiranë – Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi është thirrur si person nën hetim në lidhje me procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të ri të Llogarasë.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se thirrja është bërë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për shkelje të barazisë në tendera dhe abuzim me detyrën në disa projekte publike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ndër më të rëndësishmit është projekti i tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 140 milionë euro.
Sipas informacioneve paraprake, Balluku është thirrur për të dhënë shpjegime mbi mënyrën e zhvillimit të tenderit, zgjedhjen e kompanisë fituese dhe menaxhimin e kontratës gjatë fazës së zbatimit. Hetimi dyshohet se përfshin edhe disa zyrtarë të tjerë të ministrisë dhe përfaqësues të kompanive të përfshira në projekt.
Në orët e mëparshme, në ambientet e SPAK-ut është parë të hyjë edhe avokatja dhe motra e saj, Pamela Qirko, e cila e përfaqëson ligjërisht në këtë procedim.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi natyrën e plotë të hetimit apo masat që mund të merren, por ka konfirmuar se Balluku është nën hetim aktiv dhe se çështja lidhet me procedura tenderimi të projekteve infrastrukturore strategjike.
Tuneli i Llogarasë është një nga veprat më të mëdha publike të dekadës së fundit, që lidh zonën e Dukatit me atë të Palasës dhe synon të lehtësojë qarkullimin drejt Rivierës së Jugut. Projekti ka qenë në qendër të debateve politike për kostot e larta dhe mungesën e transparencës në fazën e tenderimit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






