Transmetuar më 31-10-2025, 14:28

Tiranë – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka cilësuar arrestimin dhe më pas shkarkimin e tij nga detyra si një “përçmim dhe neveri ndaj votës së lirë”. Deklarata u bë gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, e cila po shqyrton ankimin për anulimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën.

“Kam pritur nëntë muaj për këto nëntë minuta. Jam rrëmbyer nga zyrat dhe mbyllur në një qeli nën një regjim më të rëndë se ai për një vrasës serial. Kam përjetuar shkelje dhe denigrim të vazhdueshëm, në një përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tre herë nga qytetarët e Tiranës. Ky është përçmim ndaj votës së lirë,” – tha Veliaj para trupës gjykuese.

Ai tha se nuk kërkon mëshirë, por drejtësi kushtetuese: “Jam këtu si kryetar i Bashkisë së Tiranës për të kërkuar të drejtën time dhe të qytetarëve që më zgjodhën. Ky mandat është një besëlidhje publike dhe nderi i jetës sime, të cilin do ta mbroj deri në fund.”

Veliaj e cilësoi akuzën për “mosprezencë në detyrë” si “fyerjen më të rëndë të jetës së tij”, duke theksuar se ajo erdhi nga ish-bashkëpunëtorë të afërt. “Nuk denjuan as të më ftonin, as të më dëgjonin. Zot, fali se s’dinë ç’bëjnë,” – u shpreh ai.

Në vijim, Veliaj paralajmëroi se pranimi i një shkarkimi të një kryebashkiaku të zgjedhur me votën e popullit pa një vendim të formës së prerë “do të ishte rrezik për demokracinë dhe sovranitetin qytetar”.

“Sapo të pranohet që një i zgjedhur me votë mund të hiqet pa vendim gjykate, çdo qytet e çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit,” – shtoi ai.

Veliaj e përmbylli fjalën e tij duke thënë se Gjykata Kushtetuese është “mburoja morale e Republikës”, që ndan “shtetin e së drejtës nga shteti i frikës”.

Aktualisht, Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ku po hetohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e tij për mungesë shtatëmujore në detyrë, ndërsa Presidenti Begaj dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme. Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht dekretin për Bashkinë e Tiranës deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit