

Policia e Shtetit thotë se në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit në Tiranë dhe në Romë, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia drejt Shqipërisë të shtetasit Ermond Goga, 33 vjeç, lindur në Krujë, i shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, në vitin 2023, e ka dënuar Gogën me 4 vite burgim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Nga dënimi i dhënë, atij i kanë mbetur për të vuajtur rreth 1 vit burgim.
Sipas hetimeve, në vitin 2021, Goga, në rolin e organizatorit, kishte bashkëpunuar me tre persona të tjerë për përgatitjen e një sipërfaqeje toke publike në fshatin Krastë, Krujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Falë ndërhyrjes në kohë të Policisë, tentativa u parandalua që në fazën fillestare.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të përfshirë në rast, Policia gjeti dhe sekuestroi 240 fidanë kanabisi, një armë zjarri me municion, si dhe mjete që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Më herët në 2020 policia kishte njoftuar se arrestoi Ermond Goga 27 vjeç, banues në Krujë, pasi u kap nga shërbimet e policisë në unazën e qytetit të Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Mitsubishi”, 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 100 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së./noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






