

31 Tetor 2025, 09:15Aktualitet
Policia e Shtetit ka hapur sot zyrtarisht aplikimet për pozicionet e larta drejtuese “Drejtor Departamenti” dhe “Drejtor Vendor i Policisë”, në kuadër të procesit të ri të konkurrimit dhe promovimit brenda strukturës.
Më herët ka dhënë dorëheqjen edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Fatmir Hoxha.
Aplikimet do të jenë të hapura nga data 3 deri më 11 nëntor 2025, dhe mund të marrin pjesë punonjës të policisë me grada të rolit të mesëm drejtues.
Njoftimi:
Mbështetur në pikën 1, pikën 2, germat “c” dhe “l” të nenit 55, si dhe në pikat 3 dhe 4 të nenit 61 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit, në Policinë e Shtetit”, si dhe në nenet 29-49 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 112, datë 24.02.2025 “Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”, Policia e Shtetit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për konkurrim për pozicionet “Drejtor Departamenti” dhe “Drejtor Vendor i Policisë”.
Me qëllim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi, rezultate të larta, integritet moral dhe profesional për promovimin në detyrë të punonjësve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar hapjen e aplikimeve për konkurrim për pozicionet:
“Drejtor Departamenti” në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin;
“Drejtor Departamenti” në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
“Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për shkak të dorëheqjes nga detyra të punonjësit të përzgjedhur për këtë funksion, me proces konkurrimi;
“Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, për shkak të shkarkimit nga detyra, më datë 10.07.2025, të drejtorit të përzgjedhur me proces konkurrimi.
Faza e aplikimeve do të jetë e hapur nga data 03.11.2025, ora 08:00, deri më datë 11.11.2025, ora 16:00.
Policia e Shtetit fton punonjësit e saj që mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, që të aplikojnë dhe të konkurrojnë për këto pozicione, duke i garantuar për një proces vlerësimi të drejtë, transparent dhe profesional.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






