

Tiranë, 31 tetor 2025
Kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku po shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra. Ai mbërriti nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, i shoqëruar nga forcat e policisë.
Veliaj u transportua me një furgon policie nga paraburgimi i Durrësit drejt kryeqytetit. Sapo zbriti në oborrin e Gjykatës, ai përshëndeti me dorë gazetarët dhe operatorët që ndodheshin në vendngjarje.
Në momentin kur një prej gazetarëve e pyeti nëse “kryeministri Rama ka shkelur Kushtetutën”, Veliaj nuk dha asnjë përgjigje, pasi u shoqërua menjëherë nga efektivët e policisë drejt brendësisë së godinës ku do të zhvillohet seanca.
“Mbante pranga në duar. Pyetjes nëse Rama ka shkelur Kushtetutën nuk pati mundësi t’i përgjigjej; përshëndeti me dorë gazetarët përpara se të futej në Kushtetuese,” raportoi gazetarja Klodiana Lala, e pranishme në vendngjarje.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






