Transmetuar më 31-10-2025, 08:29

Durrës, 31 tetor 2025 Policia Kufitare ka finalizuar operacionin e koduar “Marine”, duke goditur një rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Si rezultat, është arrestuar një 47-vjeçar që tentoi të nxirrte jashtë vendit tre persona të fshehur në kamionin që drejtonte.

Nga hetimet paraprake u zbulua se dy nga personat e fshehur ishin të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ndërsa një tjetër kishte qenë më parë i dënuar në Itali për trafik narkotikësh. Policia bëri të ditur se shtetasi K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në portin e Durrësit, brenda kamionit që ai drejtonte u gjetën të fshehur tre shtetas shqiptarë. Njëri prej tyre, R. M., 37 vjeç, nga Lezha, ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, me urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria e Pistoias për disa vepra penale, përfshirë “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Ai u arrestua provizorisht për t’u ekstraduar drejt Italisë.

Një tjetër person, K. D. (i njohur edhe me inicialet K. F. dhe K. P.), ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali dhe u arrestua në pritje të lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar. Ndërsa S. D. (alias K. M.), i dënuar më parë nga Gjykata e Pratos për trafik droge, u procedua në gjendje të lirë.

Gjatë operacionit u sekuestruan kamioni, disa aparate celularë dhe dokumente të personave të përfshirë. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme procedurale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit