

Tiranë, 31 tetor 2025
Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me mbi 230% gjatë dy dekadave të fundit, sipas të dhënave të indeksit të çmimit të shitjes së publikuar nga kompania “Keydata”. Që prej vitit 2005, kur niveli bazë i indeksit u llogarit në 100, ai ka arritur në 334.61 pikë në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke shënuar vlerën më të lartë që prej fillimit të matjeve.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, indeksi i çmimeve është rritur me 23%, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja arrin në 16.5%. Sipas analizave, përshpejtimi i rritjes është vërejtur pas pandemisë së Covid-19, periudhë në të cilën kërkesa për banesa në kryeqytet është rritur ndjeshëm.
Në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, çmimi mesatar për një metër katror apartament në Tiranë është vlerësuar në 1,830 euro. Të dhënat e “Keydata” bazohen në çmimet e apartamenteve ekzistuese, ndërsa për banesat e reja, vlerat janë më të larta. Në zonat qendrore, si ish-Blloku dhe sheshi “Skënderbej”, çmimet arrijnë nga 3,000 deri në 3,500 euro për metër katror.
Në raportin ndërkombëtar “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025”, të përgatitur nga “Deloitte”, Shqipëria renditet ndër vendet me rritjen më të madhe të çmimeve të banesave në Europë. Sipas raportit, në vitin 2024 çmimi mesatar i apartamenteve në vend ishte 1,620 euro për metër katror, me një rritje prej 17% në krahasim me vitin 2023. Shqipëria u pozicionua e dyta pas Polonisë, ku rritja u ndikua nga politikat shtetërore të subvencionimit për strehimin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






