

Tiranë, 30 tetor 2025 – 20:37
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar sot akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke deklaruar se çështja e inceneratorit të Tiranës është një skandal që “do ta ndjekë deri në fund të jetës”.
Berisha u ndal te dëshmitë e ish-prokurorit Nesti Angoni, duke paralajmëruar se së shpejti do të dalin publikisht të tjera prova që, sipas tij, do të rëndojnë edhe më shumë situatën për kryeministrin.
“Dy gjëra do e ndjekin Edi Ramën gjer ditën e fundit të jetës: djegësi i Tiranës. Ai prokurori që e kërcënoi Rama ka mbajtur dosjen për muaj e vite dhe kur e pyetën pse nuk akuzoi Erion Veliajn, tha: se më duhej të akuzoja Edi Ramën,” deklaroi Berisha.
Duke iu referuar dëshmive të Nesti Angonit, ai shtoi: “Edi Rama nuk shpëton kurrë nga djegësi i Tiranës. Po dalin si libër edhe dëshmitë e Nesti Angonit. Prisni se do të ketë edhe një Nesti Angoni të dytë. Është lule i pari, do ta shihni të dytin.”
Çështja e inceneratorit të Tiranës vijon të mbetet një nga debatet më të nxehta politike në vend, me hetimet e autoriteteve dhe akuzat e ndërsjella mes palëve politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






